3.1

Thjeshtë, vetëm po pyes: deri kur?

Spread the love

Autor: Fehmi Maliqi

Mbase ka një rregull të pashkruar se të thuash diçka të pavlerë është gjë që bëhet me lehtësi dhe pa ndonjë ndeshje të theksuar mes të mirës dhe të keqes. Edhe brenda vetes e mira është më e heshtur se e keqja, ngase yryshi i demonëve të së keqes është aq i zjarrtë saqë e mira synon që brenda asaj katrahure ta kursej shtëpinë (trupin e shpirtin të bërë një qenësi) që mos të digjet e tëra. Nuk është vështirë ta kujtoni Habilin i cili në asnjë rast nuk iu qas dhunës për ta kundërshtuar vëllanë e tij Kabilin, edhe me kushtin se do të bëhej viktima e parë e pafajshme në Tokë.

Ku ishte Habili i vërtetë? Ai ishte brenda popullit, vetë populli, shumica e të pakënaqurve të plaçkitur dhe të fyer. Ky Habil që nuk po i reziston ndryshe kësaj katrahure përpos me ikjen e tij në vende të tjera, për të kërkuar ose Kabil më të butë ose për ta harruar së paku përkohësisht Kabilin e shtëpisë së tij. Kur fillon ta braktisësh shtëpinë më nuk e ke për dert se si gjatë mungesës do të pluhurosen orenditë, se si do të lodrojnë merimangat apo se edhe në oborr do të vijnë e të lodrojnë fqinjët e lazdruar dhe të trimëruar nga mungesa jote, të cilët fillimisht i thyejnë xhamat e dritareve me topin e lojës së shfrenuar e duke vazhduar edhe me hyrjen brenda në shtëpi duke marrë çdo gjë me vlerë që më në fund ta bëjë atë strofull të maceve, qenve e çdo gjëje tjetër të braktisur ose nga Zoti, natyra e njeriu.

Habili i këtillë më së paku e ka për dert se kush do të bëhet i pari i lagjes, katundit, qytetit apo shtetit. Ka vetëm një synim, të mos bëhet më viktimë e pafajshme, në një mjedis ku i viktimizuari fyhet dhe harrohet sapo të zbardhë e para e nesërme apo sapo ta mbuloj dheu. Pra në mesin e aq shumë Kabilave të fuqishëm me pasuri e pushtet, Habili i pambrojtur dhe i pafuqishëm duhet të zgjedhë mes viktimizimit, heshtjes apo të ikjes. Kësaj radhe zgjodhi ikjen e përkohshme. Deri kur?

(Revista “Vlera”, nr. 14, prill 2015, fq. 11)