28. Buhariu

Vërtetësia e haditheve të Buhariut

Spread the love

Autor: Labinot Qaushi

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Muhammedin dhe familjen e tij të pastër.

Hadithet dhe vërtetësia e tyre ndërmjet kohës së Buhariut dhe Imam Xhafer Sadikut (a.s.) i biri i Imam Bakirit (a.s.) i biri i Imam Zejnel-Abidinit (a.s.) i biri i Imam Husejnit (a.s.) i biri i Imam Aliut dhe i Fatime Zehrasë e bija e të Dërguarit tonë Muhammed Mustafasë (s.a.a.).

1 – Koha e Buhariut ishte e afërt me kohën e Imam Sadikut, Imami ka vdekur në vitin 148 hixhri, dhe Buhariu ka vdekur në vitin 256 hixhri, domethënë nga vdekja e Imam Xhaferit deri tek vdekja e Buhariut ka pasur 108 vite ndërmjet.

2 – Medina ishte qendra e mësimeve që njerëzit mësonin në kohën e Imam Sadikut a.s. dhe në këtë qytet Buhariu ka marrë hadithe nga dijetarët e haditheve për gjashtë vite me radhë, pastaj ka udhëtuar në qendrën e shi’itëve në qytetin e Bagdadit dhe Kufës, mirëpo sipas analizave hulumtuese që kanë bërë historiografët dhe hadithologët, Buhariu nuk mori asgjë nga dituritë dhe hadithet si burim më i besueshëm që gjendej në vatrat e ndjekësit të Ehli Bejtit (a.s.). Buhariu ishte edhe në Hixhaz si dhe në Irak kur mu në atë kohë ishin edhe shokët e Imam Sadikut a.s. dhe të tjerët që mësuan nga shokët e Imam Sadikut. Aq të shumët ishin studentët dhe nxënësit e Imam Sadikut në atë kohë sa që është vështirë të numërohen, mirëpo mund të themi se fama e Imam Sadikut në atë kohë ka qenë e njohur në mesin e muslimanëve saqë i ka tejkaluar tërë dijetarët e botës islame atëherë dhe sot. Duhet ditur se në atë kohë edhe dijetarët të Ehli Sunetit kanë dëgjuar për Imam Sadikun dhe askush nuk mund të thotë se nuk kanë dëgjuar për jurisprudencën dhe trasmetimet e haditheve nga Imam Sadiku a.s..

3 – Buhariu i ka trasmetuar hadithet nga ata që morën dijen nga Imam Sadiku a.s. siç janë: Abbdul-vehab Thekafi, Hatem bin Ismaili, Malik bin Enesi, Vehb bin Munebbih, këta janë pra janë shejhët (dijetarët) e Buhariut në lëminë e hadithit edhe pse Buhariu refuzoi të tregonte për hadithet të cilat ata kanë trasmetuar nga Imam Sadiku.

4 – Sikur të ishte Imam Xhafer Sadiku një njëri i panjohur në virtyte në devotshmëri e në dije, njerëzit do të kishin thënë se nuk ka qenë i njohur.

5 – Ne i kemi parë në librat e Buhariut dhe të Muslimit si përmbledhje që i thonë të vërteta e që transmetojnë hadithe 26 burra me emrin Hasan, 23 burra me emrin Musa, 39 burra të njohur me emrin Ali, por nuk është asnjëri që përmendet me emrin Hasan që përkon dhe është Imam Hasanin, e asnjëri që përmendet me emrin Musa, e që është Imam Musa Kadhimi – stërnipi i të Dërguarit (s.a.a), e asnjëri që përmendet me emrin Ali, nuk është Imam Ali Ridhai i cili ishte i njohur për dije dhe devotshmëri të cilin e respektonin i dashuri dhe i urryeri.

Buhariu nuk ka trasmetuar një hadith të vetëm nga pasardhësit e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) sikur Imam Hasani, Imam Musa Kadhimi, Imam Ali Ridhai, Imam Xhevadi, Imam Hadi e në veçanti nga Imam Hasan Askeriu i cili ishte bashkohës i Buhariut. Kështu nuk ka trasmetuar as edhe një të vetmin hadith nga Zejd bin Ali, Hasan bin Hasan Muthani, e dhjetra tjerë nga bijtë e Imamëve të Ehli Bejtit të cilët ishin të njohur për dije e devotshmëri.

6 – I vetmi trasmetim të cilën e trasmeton Buhariu dhe Muslimi është hadithi i shpikur që i atribohet Imam Zejnel-Abidinit se ka thënë: “Ishte Prijësi i besimtarëve Aliu dhe Fatimja të cilët nuk u zgjuan për namaz të sabahut, dhe i Dërguari (s.a.a.) i kishte zgjuar! Aliu tha për të Dërguarin (s.a.a.) diçka si në kundërshti dhe i Dërguari (s.a.a.) i kishte thënë ajetin 54 të sures el-Kehf: “Po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar“. Gjithashtu ia atribuojnë hadithin për luanin e Zotit, hazreti Hamzën xhaxhain e Pejgamberit s.a.a.a, se si ai ka pirë verë dhe e ka keqpërdorë atë.

7 – Buhariu dhe Muslimi kanë trasmetuar më shumë se 2400 hadithe, që shumica prej tyre janë trasmetuesit nga Nasibët – armiqtë të përbetuar të Ehli Bejtit a.s. dhe nuk trasmetuan as edhe një hadith të vetëm nga ata, pra imamët që i përmendëm më lartë.

8 – Për shkak të këtyre argumenteve në keqinterpretimin e zinxhirit të haditheve, muslimanët që pasojnë shkollën e Ehli Bejtit (shiitët) për hadithet që gjenden në Buhari mohojnë vërtetësinë e tyre, dhe këto hadithe i marrin me shumë rezervë duke i dalluar e krahasuar se cilat janë hadithet e vërteta dhe të rreme.

Virtytet e Aliut a.s. që janë të përmendura tek Buhariu ato janë të vërtetuara nga rrugët e haditheve si burim nga Ehli Bejti, sepse pasuesit e Familjes së Pejgamberit kanë rrugë të veçanta të cilën e transmetojnë Dymbëdhjetë Imamët deri tek burimi i të Dërguarit Muhamed s.a.a. dhe kështu nuk shohin nevojën që të marrin hadithe prej Buhariut apo ndonjë tjetër. Gjithashtu, duhet cekur se vërtetësia e haditheve që kanë ruajtur Ehli Bejti janë marrë edhe nga As’habët që ishin të njohur me sinqeritetin e tyre edhe pse ishte shumë e mjaftueshme që hadithet të merreshin nga porta e qytetit të diturisë së të Dërguarit të Zotit – Aliu a.s., që këto hadithe u shkruan nga vet Imam Aliu a.s. dhe u përcollën gjeneratë pas gjenerate të imamëve të cilët i transmetuan dhe i ruajtën me gjakun dhe shpirtin e tyre e që sot muslimanët shiitë mburren dhe i mbajnë si hadithe të vërteta.

(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 11-12)




There are no comments

Add yours