15

FLETË MUSINJA PËR NAIM FRASHËRIN

Spread the love

FLETË MUSINJA PËR NAIM FRASHËRIN

Bota fetare filozofike pasqyrohet kudo edhe bëhet një doktrinë. Kjo lë gjurmë të forta në të gjitha shkrimet e Naimit, më tepër se çdo shkrimtar tjetër shqiptar i kohës së shkuar dhe i kohës së sotme.

Shqipëria, një nga shtetet më të vegjël të kontinentit të Evropës, gjithmonë e shtypur dhe e skllavëruar prej popujve të ndryshëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ishte ngritur me armë në dorë, nga të gjitha anët e vendit. Ky shekull ka rëndësi të madhe për tokën shqiptare. Gjatë këtyre përpjekjeve ajo kreu nga gjiri i saj shumë njerëz të dyfekut, por edhe shumë pendëtarë. Ata me anën e shkrimeve, lartësuan ndjenjën e atdhedashurisë. Këto vepra, që kanë secila rëndësinë e vet, të gjitha janë me vlerë kombëtare dhe letrare. Çështja shqiptare pati fatbardhësinë të shkruhej në mënyrë të bukur dhe të kulluar në veprat e poetit më tipik të kohës. Ajo gjeti burimin më të ndritur në gjeninë e poetit më të madh të kohës së tij Naim Frashërit. Më parë se të bëj kritikën e çdo vepre të poetit, dua t’i paraqes lexuesit botën mendore të Naimit, ku pasqyrohen në të gjitha ndjenjat shpirtërore. Më parë se çdo gjë, duhet së pari të ndajmë dhe të analizojmë format e ndryshme, të cilat na paraqiten me të shtatëmbëdhjetë veprat që na ka lënë shkruar. Pika më karakteristike, që zë vendin e parë në studimin tim, boshti kryesor rreth të cilit Naimi vërvitet shumë herë, është bota fetare – filozofike. Më vonë, prej saj rrjedhin dhe karakteristikat e tjera ideologjike : politike, sentimentale, shkollore etj. Bota fetare filozofike pasqyrohet kudo edhe bëhet një doktrinë. Kjo lë gjurmë të forta në të gjitha shkrimet e Naimit, më tepër se çdo shkrimtar tjetër shqiptar i kohës së shkuar dhe i kohës së sotme.

Në mes të botës fetare – filozofike të Naimit, më parë se çdo gjë tjetër është Zoti, fuqi e mbinatyrshme, fuqi prodhuese edhe udhëheqëse të çdo lëvizjeje tokësore dhe qiellore. Naimi e kupton këtë fuqi hyjnore në formë panteiste. Nga ky sistem dhe me këtë mënyrë forcon edhe më shumë parimin e pavdekshmërisë së lëndës. Ajo nuk shkatërrohet, nuk humbet, po ndryshohet gjithmonë. Si të gjithë poetët mistikë, që Naimi është përpjekur gjithmonë të largohet, por nuk ka mundur të shkëputet krejt; bazën konceptive të tij te një Zot i vërtetë, që është një prej fillimit dhe një do të jetë: i përjetshëm. Ai beson te një Zot, i cili për madhërinë e Tij, tregoi veten në çdo gjë. Njëkohësisht çdo gjë është tek ai. Në këtë mënyrë ai krijoi botën. Bëri gjithësinë ku ndodhet fryma hyjnore e tij (anima universale). Ky shpirt, që ndodhet kudo, që fshihet në çdo gjë, ka forcë prodhuese. Ajo, me dashurinë e saj hyn kudo dhe kërkon të udhëheqë çdo veprim. Prej këtij koncepti themeltar, të tjerë rrjedhin si p.sh. ajo: natyra nuk ka në vetvete një fuqi të vërtetë dhe nuk mund të krijojë. Çdo gjë që shikojmë, çdo gjë që lulëzon, qoftë dhe lulja më e vogël, nuk bën gjë tjetër, veçse të na dëftojë bukurinë dhe madhështinë e Zotit, sepse vetëm ky ka fuqi të krijojë. Duke gjykuar në këtë mënyrë, pa dashur, Naimi bie ballë për ballë me njeriun, me natyrën më të përsosur në këtë botë. Ai është fytyra e Zotit, sepse kur deshi Zoti i madh dhe i vërtetë të dilte në shesh, atëherë krijoi njeriun. E bëri mbret të natyrës, i dha mendje të gjykojë me shpirt që të mëshirojë. Përveç kësaj i dha mundësinë të njohë veten e tij, po kështu di se ç’është Perëndia. Por vetëm Zoti, si fuqi më e lartë e gjithësisë ka zotësi të krijojë, kurse njeriu jo : ai nuk mundet se është fytyra e Zotit, sepse tek i biri fshihet i ati. Njeriu është krijuar në këtë botë për të punuar.

Kërkon të ngrihet lart, të largohet nga mëkatet, porse prapë gabon. Me një fjalë, nuk është gjë tjetër, veçse një fenomen i natyrës, që ka qenie të ndryshuar. Nuk është sot, siç ka qenë dje dhe nesër nuk do të jetë siç ka qenë sot. Dita – ditës ndryshohet, përtërihet, merr pjesë në natyrë, e cila sundohet dhe udhëhiqet prej Zotit. Ideja e Zotit, fuqia e cila i jep jetë çdo gjëje e shton më shumë parimin e “ Divina Provvidenza ”. Kjo forcë kaq e madhe është e fshehur dhe rregullon të gjithë ngjarjet njerëzore. Çdo gjë që ngjet, gazet, hidhërimet, fatkeqësitë në vatrat familjare, të gjitha këto kanë një qëllim. Ne nuk e kuptojmë, por është e nevojshme, që në të tilla raste të kemi besim tek i madhi Zot. E keqja e sotme, nesër shpërblehet prej Tij. Ai është i madh dhe i përsosur, prandaj fatkeqësia që ndodh, bie nga prapa të mirën. Kjo është pika më kryesore në botën mendore të Naimit, ku na pasqyrohet shpirti i tij. Bota mendore e tij, me gjithë parimet e sipër treguara nuk është e bazuar në idera fataliste ose krejt dogmatike, porse janë mendime kritike, ku merr pjesë botëkuptimi ynë dhe për këtë shkak bëhen filozofike. Siç thashë dhe më parë, prej konceptit fetar filozofik – rrjedhin edhe format e ndryshme të botës mendore. Më para nga të gjitha është ajo etike dhe shoqërore. Naimi është reformator i një shoqërie të re, të bazuar mbi mirësinë, mbi urtësinë dhe vëllazërinë e gjithë njerëzve. Ai dëshiron me mish e me shpirt që njerëzimi të kthehet dhe të rrojë si më parë, në mënyrë shumë të thjeshtë dhe primitive, të frymëzuar prej dashurisë së Zotit. Prej këtij idealizmi fetar – moral dhe shoqëror, poeti futet në botën ideale – politike dhe sentimentale. E vërteta është që Naimi dëshiron si e si të ndreqë shoqërinë, porse kështu duke dashur arrin në idealin e tij më të lartë: të zgjojë nga gjumi i rëndë dhe nga skllavëria popullin shqiptar. Nuk do që ky popull i vjetër, me një të shkuar të shkëlqyer të rrojë në robëri. Mjaft në harresë, kundrejt detyrave të tokës shqiptare.

Kjo gjë e shpuri në greminë dhe të pushtohet lehtësisht nga shtetet fqinjë. Ideali politik është pjesa më e bukur e veprave të poetit. Naimi në këto vargje shkriu veten e tij, sepse kjo ka rëndësi të madhe për të dhe për popullin shqiptar dhe me këtë ideal ai e ushqeu fantazinë në kohën e rinisë. Këtë ëndërr ushqeu sa herë shkruante dhe kjo ëndërr u lëkund në kohën e pleqërisë. Këtë ideal u këshillonte bashkëatdhetarëve të tij. Ishte idea e një Shqipërie të lirë, që ushqeu gjer në minutat e fundit. Me këtë shpresë Naimi mbylli sytë përgjithmonë. Duke i dhënë rëndësi të madhe idealit politik, Naimi iu shtrua punës. Ai donte të edukonte rininë, sepse atje shpresonte. Për të shkruante nat ‘ e ditë, sepse donte të mbillte me duart e tij zellin e mësimit ; sepse vetëm në këtë mënyrë kish të drejtë të kërkonte punë dhe sakrificë prej tyre. Filizat e reja duheshin ushqyer mirë që të kuptonin idenë e dashurisë për atdhe, vëllazërinë, edhe më në fund lirinë. Mblidhte që të korrte,  se ashtu mendonte. Po, për të kuptuar poezinë ose më mirë temperamentin poetik të Naim Frashërit, duhet të marrim parasysh edhe pamjet e tjera të botës së tij mendore, e sidomos në pjesën ku pasqyrohen të fshehtat e shpirtit të tij, atë anë të cilën mund ta quajmë idealizmë sentimentale. Kjo ka rëndësi të madhe në krahasim me ato që thamë më sipër. Naimi, në poezitë me këtë karakter, na paraqitet si kreatura më e njerëzishme. Shpirti i tij është shumë delikat dhe tronditet përpara hidhërimeve të të tjerëve e të tijat, që janë aq të ndjeshme, dëftojnë një butësi të madhe shpirtërore dhe ka zemërbardhësinë edhe sinqeritetin e një foshnje. Atij i dhimbet për çdo gjë në gëzimet dhe në fatkeqësitë e kreaturave më të vogla. Ai qan e qesh me ta. Poeti frymëzohet dhe mbetet me gojë hapur përpara bukurisë së natyrës.

Ai mahnitet për madhështinë e saj me të gjitha format zemra e një hiri, e rreh me të fortë përpara syve magjepsës të një gruaje të bukur. Për Naimin, e cila është përpara syve të tij dhe pasqyrohet edhe në idealin fetar, nuk është gjë tjetër, veçse Perëndia. Për atë digjet e përvëlohet, për atë shkrihet dhe do të bëhet baltë e pluhur, sepse është kreatura më e përsosur, ajo që i jep jetë çdo gjëje, është burimi i çdo bukurie. Naimi pra, është poeti mistik. Është një mendonjës i thellë. Ai dëshiron, si dhe të tjerët, të ngrihet lart shpirtërisht dhe të arrijë në sferat më ideale të kohës mendore. Ai frymëzohet vetëm prej së mirës dhe prej dashurisë së Zotit. Kjo ka vlerë të madhe për ne, sepse kemi përpara syve vargje, vjersha të cilat të bëjnë të ëndërrosh me sy hapur. Kjo meritë është e përshtatshme vetëm për ata njerëz të lartë, ashtu siç qe me të vërtetë Naim Frashëri.

 

Nuk dua të them fjalë të shumta dhe të shtoj tjetër, më tepër seç thashë më parë. Megjithatë e gjej të arsyeshme, që lexuesit të paraqesin disa njoftime të tjera, të cilat lidhen ngushtë me botën e tij mendore. Janë shumë të pakta ato vargje ku njeriu mund t’u jap një vlerë me të vërtetë artistike. Po megjithatë, nëpërmes poezive të shumta mund të gjejmë disa vargje, të cilat kënaqin shpirtin tonë nga bukuria e madhe, jo vetëm si ide, porse dhe si pemë. Ai që di të shijojë poezinë, po të kërkojë, do të gjejë me të vërtetë pjesë të zgjedhura, të cilat edhe përpara çdo kritike të rreptë, ato mbajnë një vend me të vërtetë me rëndësi letrare. Naimi është idealist, i lidhur shumë ngushtë me idetë e tij shpirtërore. Ai kërkon që këto mendime t’i shkruajë në mënyrë të thjeshtë e sidomos të frymëzuar prej një forme ardoria. Ky është një nga shkaqet që e shtyjnë Naimin të përsërisë me mijëra herë atë që ka në mend dhe atë që ia do shpirti. Ai nuk ka frikë se përsërit, sepse për atë kanë vlera mendimet, ose më mirë se mendimet qëllimi i tij që parashikon t’ia arrijë, në mos shpejt, por edhe vonë.

Për këtë shkak, ne gjejmë te Naimi qelizën e parë, e cila prodhon dhe i jep zemër poetit të shkruajë natë e ditë, pa u lodhur aspak. Mund të themi, pa u menduar, se e gjithë puna e tij, ajo që përfshin botën poetike dhe atë individuale qëndron vetëm në një gjë : Atdheu. Për të mirën e atdheut derdh të gjitha energjitë e tij për natë, ku dëfton të gjitha idetë fetare – filozofike, edukuese dhe sentimentale. Atdheu – qëndron më lart se çdo gjë tjetër dhe ai Apostoll i tij. Prandaj çdo shqiptar, i cili nesër do të ketë mundësinë të punojë mbi veprat e Naimit dhe të bëjë një kritikë më të gjerë, ka të drejtë të marrë parasysh të gjitha rrethanat në të cilat ka shkruar Naimi. Nuk duhet harruar dhe gjendja e kohës dhe shkalla në të cilën gjendej letërsia jonë kombëtare. Naimit i falen gabimet, përpara qëllimit, që ka dashur t’ia arrijë dhe shpresës, që ka ushqyer gjer në minutat e fundit. Qëllimi im ka qenë ai, që të japë kritikat e veprave të Naimit, duke i ndarë ato sipas kohës që janë shkruar. Po, me gjithë përpjekjet e mia, nuk qe e mundur të gjeja kohën e përpiktë, si dhe datat ku i ka shkruar veprat. Unë, nga ky shkak u shtrëngova t’i ndaj, duke marrë parasysh karakteret, ose më mirë lëndën që përmbajnë. Duke ndjekur këtë udhë, ka mundësi të madhe të shfaqet më mirë shpirti i Naimit dhe të na dëftohet ashtu siç është në të vërtetë, duke i dhënë vlerë dhe botës së mendore. Ndarja që do të jap më poshtë është një lloj pasqyre, ku na paraqiten të gjitha veprat të vëna në kategoritë përkatëse;

  1. Vepra me argument shkollor : 1) E këndimit të çunave, 2) Istori e përgjithshme ; 3) Istori e Shqipërisë, 4) Dituritë, 5) Gjuhësija, 6) Iliadha e Omerit – Mërija e Aqileut III.
  2. Veprat me karakter fetar :1 ) Fletore e bektashinjve, 2) Qerbelaja dhe 3) Mësime.
  3. Vepra me argument politik : 1) Dëshira e vërtetë e shqiptarëve dhe 2) Istori e Skënderbeut.
  4. Vepra me argument sentimental: 1) Tehajilat (persisht), 2) Eros (greqisht) dhe 3) Bagëti e Bujqësia.
  5. Vepra me argumente të ndryshme : 1) Parajsa dhe fjala fluturake, 2) Vjersha dhe 3) Lulet e verës !.

Ky studim është përmbledhje e tezës së Musine Kokalarit, për Naim Frashërin.

U mbajt në Romë, 1941, M.K 22/1/1942