KUSH ËSHTË FATIME ZEHRA (Paqja qoftë mbi të)
KUSH ËSHTË FATIME ZEHRA (Paqja qoftë mbi të)
Hazreti Fatime Zehra s.a. (paqja qoftë mbi të) është një nga personalitetet më të ndritura dhe të nderuara në historinë e Islamit. Vajza e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe Hazreti Hatixhes (paqja qoftë mbi të), ajo shquhet për devotshmërinë, moralin e lartë, dhe përkushtimin ndaj familjes dhe Zotit.
Lindja dhe Lajmi Hyjnor
Transmetohet se gjatë shtatzënisë së Hatixhes, engjëlli Xhibril (paqja qoftë mbi të) i solli Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) lajmin e gëzuar:
“O i dërguar i Allahut, foshnja në mitrën e Hatixhes do të vazhdojë brezin tënd. Ajo do të jetë vajzë dhe pas ndërprerjes së shpalljes (vahjit), do të jetë nëna e imamëve dhe prijësve të fesë.”
Fatime Zehra erdhi në këtë botë si simbol i pastërtisë dhe si trashëgimtare e mesazhit profetik. Ajo u rrit në një shtëpi që ishte qendra e shpalljes hyjnore dhe e vlerave të larta morale.
Virtytet e Hz. Fatimes
Në shumë hadithe, Profeti Muhamed ka shprehur dashurinë dhe respektin e tij të veçantë për Fatimen:
“Fatime është pjesë e imja. Kush e zemëron atë, më ka zemëruar mua.” (Sahih al-Bukhari, Libri i Virtyteve të Sahabëve, nr. 3767)
“Fatime është zonja e grave të kësaj bote dhe e grave të banorëve të Xhenetit.” (Sahih Muslim, Libri i Virtyteve)
Fatime Zehra nuk është e lartë vetëm për shkak të lidhjes së saj me Profetin, por për devotshmërinë, adhurimin, dhe moralin e saj të pakrahasueshëm. Ajo ishte vajzë e përkryer, bashkëshorte besnike dhe nënë e rrallë, duke shërbyer si shembull i përjetshëm për gratë dhe burrat në të gjitha kohërat.
Kuptimi i Emrit të Saj
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i kishte thënë Imam Aliut (paqja qoftë mbi të):
“A e di përse Fatimja e ka marrë këtë emër?”
Kur Imam Aliu e pyeti për shpjegim, Profeti u përgjigj:
“Pasi që ajo dhe ata që e duan janë të mbrojtur nga zjarri.”
Përkushtimi i Hz. Fatimes
Fatime Zehra jetoi një jetë të thjeshtë dhe plot sakrifica. Një herë, ajo iu drejtua Profetit për ndihmë në punët e shtëpisë. Në vend të një zgjidhjeje materiale, Profeti i mësoi dhikrin hyjnor:
” Allahu Ekber, 34 herë ” Elhamdulillah 33 herë, Subhanallah 33 herë ” (Sahih al-Bukhari, Libri i Duasë, nr. 5361)
Statusi i Lartë në Islam
Fatimja Zehra është e njohur si “Zonja e Grave të Botëve”. Profeti s.a.a i tha:
“Merjemja ishte zonja e grave të kohës së saj, ndërsa ti je Zonja e Botës deri në Kijamet.”
Mesazh për Të Gjitha Gratë
Fatime Zehra selamullahi alejha s.a. ( paqja qoftë mbi të ) është një shembull i përsosur për të gjitha gratë. Me devotshmërinë e saj, përkushtimin ndaj familjes, dhe moralin e saj, ajo na mëson vlerën e vërtetë të jetës së ndershme dhe të drejtë.
“Fatimja është lulja ime,” thoshte Profeti Muhamed s.a.a. Ajo mbetet përjetësisht frymëzim për të gjithë ata që kërkojnë të ndjekin rrugën e devotshmërisë dhe moralit të lartë.
E përgaditi . Msc. Ikballe Berisha Huduti