Njohja e Allahut xh.sh.
Njohja e Allahut xh.sh.
Pejgamberi i Allahut, Muhammedi, s.a.a., në vazhdim të hadithit fillon të shpjegoj shkallët e robërimit ndaj Allahut xh.sh..
“Dije o Ebu Dherr, që shkalla e parë e robërimit ndaj Allahut është njohja e Tij. Ai është i Pari dhe nuk ka asgjë që do të ishte para Tij, Ai është Një i vetmi dhe të ngjashëm me Të nuk ka, Ai është i Amshueshmi, por jo deri te fundi i ditur. Dhe Ai është që qiejt dhe tokën, dhe atë që gjendet ndërmjet tyre dhe atë që gjendet në to, i krijoi, Ai është Mëshirëplotë i Gjithëdijshmi dhe Ai mundet gjithëçka.”
Në këtë pjesë të hadithit njohja e Allahut është paraqitur si shkallë e parë e robërimit ndaj Tij. Gjithsesi që edhe vetë njohja e Allahut posedon shkallë të shumta, por ajo që është e domosdoshme në adhurim dhe robërim ndaj Allahut është njohja e përgjithshme e Allahut, pra, që njeriu ta di se ekziston Allahu si dhe që Ai është krijues i njeriut dhe botës. Po nuk e arriti njeriu njohjen së paku në këtë shkallë, nuk do të mund të vie në radhë robërimi dhe adhurimi i Allahut.
Pra, kjo shkallë e njohjes i paraprinë adhurimit të Allahut. Natyrisht, njeriu në fund të ecjes së tij drejtë përsosmërisë arrin deri në nivelin më të lartë të njohjes, karakteristike vetëm për miqtë e Allahut (evlija) dhe ne nuk mund ta kuptojmë realitetin e këtij fenomeni. Përgjithësisht e dimë që kjo njohje përfundimtare është shumë me vlerë dhe e lartësuar, që atë të devotshmit e arrijnë në fund të udhëtimit të tyre dhe që ky është niveli i fundit i robërimit ndaj Allahut.
Pasi që njeriu e arrin shkallën e parë të robërimit ndaj Allahut dhe bindet që ekziston Allahu, është e nevojshme të përsiatë për cilësitë dhe veprat e Allahut, ashtu që ajo njohje të rrënjoset dhe forcohet në zemrën e tij, dhe të mos mbetet vetëm në rrafshin e ndonjë njohjeje mendore, por të shndërrohet në njohje të gjallë, të pranishme, dhe e cila ka ndikim në veprat e njeriut. Kjo shkallë e njohjes, që karakterizohet me të logjikuarit, quhet “shkallë e mesme e njohjes”.
Vetë “shkalla e mesme e njohjes” gjithashtu posedon shumësi shkallësh. Njeriu përmes të përsiaturit për argumentet e Allahut dhe robërimit veprues ndaj Allahut mund ta arrijë këtë shkallë. Nga kjo që u tha është e qartë që të përsiaturit për cilësitë dhe veprat e Allahut dhe përpjekja për njohjen sa më të mirë të Allahut janë edhe vetë robërim Allahut dhe kanë të bëjnë me zgjedhjen e lirë të njeriut. Në këtë vertikale realizohet njohja e cila bën pjesë në hyrje të robërimit ndaj Allahut (të përsiaturit për argumentet e Allahut përbëjnë “hyrjen e afërt” të njohjes, ndërsa pjesëmarrja në ligjërata të profesorëve dhe studimi i librave janë nga grupi “i hyrjeve më të largëta” për arritjen e njohjes së Allahut).
Besimi në Pejgamberin, s.a.a. dhe pranimi i misionit të tij
“Mandej pason besimi në mua dhe dëshmimi që Allahu i Lartësuar më ka dërguar për të gjithë njerëzit t’i përgëzoj, t’i paralajmëroj dhe t’i ftoj drejt Tij, me lejen e Tij, dhe se më ka bërë dritë të Udhëzimit.”
Secili nga përshkrim i sjellë në Kur’an dhe përmes transmetimeve për Pejgamberin, Muhammed, paqja e Allahut qoftë me të dhe familjen e tij të ndershme, kërkon shpjegim dhe interpretim. Nëse besimi ynë në Pejgamberin s.a.a., forcohet dhe plotësohet, do t’i shmangemi rrezikut të rënies në grackë të shumë dyshimeve. Mosnjohja e Pejgamberit, s.a.a., në masë të duhur dhe mosekzistimi i besimit mjaft të fuqishëm në të te shumica e myslimanëve me besim të paktë shkakton dyshimin. Si pasojë e këtyre dyshimeve ata ngadalë largohen nga rruga, dhe në fund – Zoti nga ruajtë – mund të futen në mosbesim duke mos besuar që gjithçka që ka thënë Pejgamberi, s.a.v.a., është e vërtetë.
Disa individë me imanë të dobët thonë: Dispozitat që kishte sjellë i Dërguari i Allahut, s.a.v.a., nuk është e domosdoshme të aplikohen në praktikë në kohën tonë. Ato dispozita dhe rregulla ishin me qëllim të përmirësimit të gjendjes së keqe në të cilën mbretronte në popujt e gadishullit arabik atëbotë, ndërsa në këtë kohë më nuk ka nevojë për ligje apo dispozita islame. Qëndrimet e tilla paraqiten për arsye që mbështetësit e tyre nuk besojnë në Pejgamberin e Allahut, Muhammedin, s.a.a., po të besonin në fjalët e tij i cili thotë: “Më dërgoi për të gjithë njerëzit…”, atëherë misionin e tij nuk do ta kufizonin me kohën apo me diçka tjetër. duhet të thuhet që në fakt këto devijime në fe paraqiten si pasojë e dobësive në besim në Pejgamberin Muhammed, s.a.v.a., dhe misionit të tij.
Dashuria ndaj familjes së Pejgamberit (Ehli-bejt)
“Mandej vjen dashuria ndaj familjes sime (Ehli-bejtit), të cilën Allahu e ka ruajtur nga çdo papastërti dhe të cilën e ka pastruar tërësisht.”
Përgjithësisht mund të thuhet që madhështia e njohjes së familjes së Pejgamberit dhe arritja deri në kulm të lartësimit të pozitës së dashurisë ndaj anëtarëve të Ehli-bejtit, është aq sa Imam Homeini, Allahu qoftë i kënaqur me të, në testamentin e tij fetaro-politik e kishte filluar me hadithin:
“Vërtetë juve po ju lë dy gjëra të shtrenjta: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi…”
Ndoshta një veprim i tillë për njerëzit ishte i habitshëm që prijësi i revolucionit islamik në testamentin e tij lavdërohet për faktin që e pason këtë familje. Ne nuk e dimë se çfarë fshehtësie qëndron në dashurinë dhe besnikërinë ndaj Ehli Bejtit si dhe mbështetjen në njohjen e Ehli Bejtit. Ndoshta këtë e konsiderojmë të parëndësishme dhe mendojmë që, duke pasur parasysh që Ehli Bejti, fëmijët dhe familja e Pejgamberit duhet t’i duamë. Po sikur të ishte kështu, ata në hadith nuk do të paraqiteshin të barabartë me Kur’anin. Përkushtimi në dashuri ndaj Ehli-bejtit nuk është për arsye se pasardhësit e tij janë pjesë e familjes së Pejgamberit, sepse i Dërguari i Allahut, s.a.v.a., kishte disa gra. E në lidhje me to nuk kishte thënë diçka kësisoj, por theksi këtu është në atë që Allahu, xh.sh., e kishte ruajtur Ehli-bejtin nga çdo lloj papastërtie.
Redaksia Vlera – Libri i haditheve, Rrugët e Mirësisë