b8e411036a688c3a8cb04c54b00430ba

Mbështetu vetëm tek Ai

Spread the love

Mbështetu vetëm tek Ai

Mos u brengos për atë që nuk je dhe nuk mund të jesh, por brengosu për atë që je, dhe për atë që mund ta bësh dhe nuk e bën. Prandaj nisu nga hiçi, pyete veten, a mund ta ujitësh një saksi me lule, e nëse mund ta bësh këtë, edhe kjo është një lloj pune.

Pse të demoralizohesh, asgjë nuk është në dorën tënde por çdo gjë është në dorën e Zotit

Në momentin kur thua se nuk po shkon më, në atë moment ka filluar të evoluoj forca jote e brendshme, ama jo dëshpërimi, por ngrihu në këmbët e tua aq sa të mundesh.

Mos e ngushto veten, mos e dëshpëro veten, Allahu ka njohuri për ty, prandaj ka thënë në Librin e Tij: “La jukelifullahu nefsen il-la vusaha.” Allahu nuk i rëndon shpirtrat  më shumë se sa munden. E kush je ti atëherë që e mundon veten tënde? Pra dëgjoje veten, mos aktro për shkak të të tjerëve. Bëhu vetvetja, ti je e mrekullueshme ashtu siç je. Sot ndoshta nuk mundesh, ke ambicie të mëdha, mbase thjesht nuk mundesh, nuk të jepet, nuk ta ka ënda. Ndihesh e plogësht, të duhet pushim, të duhet të merresh me veten, e kjo nuk është e keqja, por ti dëgjoje veten.

Mos e dhuno veten, as mos aktro për shkak të të tjerëve. Ti mundesh aq sa mundesh, qoftë edhe sa një ujitje e saksisë edhe kjo është një mundësi që ta falënderosh Zotin, sepse dikush tjetër edhe këtë s’ka mundësi ta bëjë, ose është nën dhe ose është në karrocë invalidësh.

Nëse i përkujton të mirat që Zoti të ka falur në jetë, forca jote do të vijë, ngase pas falënderimit shtohen mirësitë, e mirësitë e tua shpeshherë nuk i përjeton, ngase ato janë duke i përgatitur për të mirën tënde,  sepse Zoti në Kuran premtoi, “Febeshirus-sabirin- përgëzoi dhe jepi myzhde, sihariq,  durimtarëve.

Falëndero Zotin nëse në mëngjesin e nesërm je duke frymuar. Je duke frymuar me frymën e Zotit, frymë e cila shndërrohet në shpirt në lëvizje në jetë. Kjo frymë shndërrohet në një shpirt falënderues, shpirt i thyer apo shpirt i lënduar, pa marrë parasysh ti nuk ke arsye të lëndohesh, të demoralizohesh, apo të dëshpërohesh

Asgjë nuk është në dorën tënde sepse mjeshtri yt është Zoti. Ai të ka në dorë, andaj ngrihu dhe lute veten, fol me veten se ti je ajo që je, je e vetme, unike mos iu anko vetes, aq më pak të tjerëve. Drejtoju të Madhit Zot, e fol me Të. Përgjërohu, përlotu, zbraze mllefin, tregoi Atij e jo robërve të Tij, sepse ka të tillë që i kënaqet shpirti për dhimbjen tënde

E ka të tillë që plogështohen, i vjen keq që nuk mund të të shtrijnë dorën e ndihmës.

Asnjë krijesë në sipërfaqen e tokës nuk është si ti. Ti je një krijesë e veçantë, prandaj shpërthe nga vetja jote dhe mos u frikëso, por ama tregoja vetes tënde se cili është qëllimi yt në jetë dhe nëse këtë nuk ia ke treguar vetes tënde, atëherë ke ngelur pas. Nëse nuk e di qëllimin, Zoti yt e di për ty. Ne jemi krijuar që vetëm Atë, të Madhin Zot, ta adhurojmë, i  Cili nuk ka dëshirë që krijesat e Tij të zvarriten nëpër tokë duke shkuar pas gjërave të pavlera dhe të kalueshme

Qëllimi yt në jetë duhet të jetë që ta adhurosh Atë, t’i mbështetesh Atij, të flasësh me Të, t’i rrëfehesh Atij, të përlotesh para Tij, të përgjërohesh para Tij, ta ndiesh Atë kur je duke qarë me dënesë, por ama jo për gjërat e pavlera, por për shpirtin tënd të pllakosur nga gjërat e pavlera që të kanë larguar nga Zoti i Madh.

A ka të tillë prindër që hyjnë në derën e shtëpisë dhe çjerrin gurmazin duke nënçmuar të tjerët e duke u krekosur se ai po ju ushqen e ruan. Ndalo more, ndalo, se Zoti thotë që nëse ti je, atëherë ku jam Unë? Pa dëshirën e Zotit as qepallat e syrit s’mund t’i luash. Prandaj, e shikon, nuk ia vlen të brengosesh për të nesërmen tënde por ia vlen të jesh krenar që je në jetë, qoftë edhe për një ditë, apo një muaj. Prandaj të nderuar, nuk ia vlen që ta shtrembëroni fytyrën. Mos u brengos as ti moj motër e nderuar, se askush s’ka vdekur nga uria, prandaj mos të të bëjnë rob gjërat materiale, e në fytyrën tënde të humbasë shkëlqimi. Mërzitjet nuk sjellin lumturi, por brengat sjellin pleqëri, e gjërat materiale për të cilat ti brengosesh, ato të robërojnë ty. Por më e mira e të mirave është që ti ta robërosh botën materiale dhe merr nga ajo botë aq sa të duhet, aq sa të ka caktuar Zoti e jo aq sa të lakmon e fut zili shejtani.

Këshilla ime për veten dhe për ty është që çdo mëngjes kur të zgjohesh dëgjoje veten nëse je duke marrë frymë. Në momentin kur trupi e prek trupin, falëndero Zotin që qenke gjallë dhe po merr frymë dhe ditën filloje nga zero sepse zero është ajo që të ngjit në njësha të mëdhenj, ngase Zoti i Madh dëshiron që t’i shohë krijesat e Tij si po ngrihen me këmbët e veta mu ashtu si gëzimi i nënës kur fëmija fillon të hedhë hapat e para.

 

Falëndero Zotin që po frymon, falëndero Zotin që jeta përsëri sot po të rifillon

 

Autor: Msc. Ikballe Berisha Huduti