5

Muslimanët dhe mjedisi

Spread the love

Hyrje

Jeta e njeriut nuk është gjithherë e qetë. Në këtë det nganjëherë ka edhe fortuna. Krijoni shokë të cilët do të jenë liman i juaj ku ju do të strehoheni kur jeni në gjendje të rëndë. Shokë e miq të tillë, që do t’ju ngrenë kur të rrëzoheni dhe do t’u shtrijnë dorën kur të pengoheni, që do t’u marrin në shpinë kur nuk do t’u mbajnë këmbët.

Ndaj sulmit individual mund të bëni mbrojtje individuale. Por, s’bën punë fare mbrojtja individuale karshi sulmit kolektiv. Për ta jetësuar mbrojtjen kolektive duhet të formoni kundër-shoqëri. Për t’i shpëtuar ndikimit negativ të rrugës dhe të turmave ndaj shpirtit tuaj, krijoni oqeane ku do të udhëtoni pa vizë e pa pasaportë.

Muslimani nuk është person që i përshtatet mjedisit në të cilin futet, por është individ që mjedisin e bën t’i përshtatet atij. Andaj bëhuni faktorë, aktivë dhe ndikues. Nëse jeni faktor, kjo do të thotë se besimi juaj është në pushtet.

Mos u mundoni të keqen ta mësoni duke e jetuar atë. Kjo është ngjashme sikur ta provosh vdekjen. S’mund të thoni: “Ta shijoj njëherë vdekjen, nëse s’më pëlqen s’vdes më”. Mëkati nuk provohet e as që shijohet. Ajo që është e keqe për të gjithë është e keqe edhe për ju. Në përcaktimin e të keqes dhe të mirës keni besim të plotë te Allahu. Ky është vetë besim apo jo?

Jini të kujdesshëm jo vetëm ndaj mjedisit njerëzor, por edhe ndaj atij natyror. Dijeni se i përkisni fesë të cilës i përket edhe natyra. Natyra është vëlla i juaj nga feja, vëlla i juaj “pa ndjenja”. Mos u bëni prej atyre që duke e prerë një dru e pengojnë kijamin (qëndrimin) e tij, duke prerë një kafshë pa nevojë e pengojnë rukunë (përkuljen) e saj, duke derdhur kot së koti një gotë ujë, e pengojnë sexhden (përkuljen) e ujit. Natyra është amanet hyjnor, andaj mos e tradhtoni!

Të gjitha rezervat e botës janë “furnizim” – rist i vërtetë. Fitimi i riskut hyjnor është i lejuar, kurse shpërdorimi i tij është i ndaluar. Urtësia botërore e Islamit, kjo fe që mëson që të mos derdhet tepër ujë, madje edhe duke marrë abdest buzë lumit, nuk dihej para 1400 vitesh kur popullata botërore numëronte vetëm 80 milionë njerëz. Kjo urtësi na del me gjithë qartësinë e vet në kohën tonë. Kështu që një kovë ujë e harxhuar pa nevojë e një qytetari të lagjes, paraqet padrejtësi ndaj një familjeje tjetër. Ja pra si menaxhohet urtësia e ndalimit të hargjimit të tepërt e të kotë.




There are no comments

Add yours