
Natyra e pastër dhe e pamëkatë e njeriut
Profeti i Shenjtë i Islamit (Pqmtf) ka thënë:
“Çdo fëmijë ka lindur me një natyrë të pastër dhe pa mëkate. Janë prindërit e tij, ata që e rrisin dhe e që edukojnë atë si një të krishterë apo si një jehudi.”
Besimi fetar dhe mënyra e të menduarit e prindërve ndikon në mendjen e tyre të ndikueshme.
Thuhet se Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) i ka thënë djalit të tij:
“Zemra e të voglit është si një tokë pjellore dhe e virgjër, e cila pranon çdolloj fare që mbillet në të. Biri im, unë pata mundësinë e ofruar nga fëmijëria jote për formimin tënd, përpara se zemra jote e ndikueshme të ashpërsohet dhe para se ato gjëra të ndryshme të pushtojnë mendjen tënde.”
Pavarësisht nga fakti se njeriu nuk është kategorikisht i lindur me predispozita kriminale, në strukturën qelizore të organizmit të çdo qenieje njerëzore gjendet një forcë e fshehur, që e tërheq atë drejt shpirtmirësisë. Kjo forcë e bën atë të kthehet në gjendjen e tij të origjinës, kurdoherë që të shkëputet nga orientimi i tij i vërtetë. Në gjuhën e filozofëve, sa herë që një natyrë e veçantë është subjekt i një force të huaj, atëherë lind një prirje për ta rikthyer atë në gjendjen origjinale natyrale të saj.
Kur’ani i Shenjtë pohon se në natyrën e njeriut ekziston prirja drejt besimit dhe neveria ndaj mëkatit dhe mosbindjes. Zoti, jo vetëm vendosi besimin në Burimin e Krijimit në natyrën njerëzore dhe i dhuroi atij aftësinë për të njohur Zotin, por Ai, gjithashtu, krijoi aty tërheqjen e natyrshme drejt virtytit dhe neveritjen nga mëkatet, nga e keqja dhe nga gjërat e turpshme. Në këtë mënyrë, shpirti tërhiqet në mënyrë të pavullnetshme drejt meritave njerëzore.
“Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen.” (49:7)
Sipas Khāxhe Hafiz i Shirazit:
Këtë dashuri dhe besnikëri mes meje dhe teje,
nuk i kam zhvilluar këtu, i kam sjellë që andej.
Bertrand Russell-i shkruan:
“Ideja e vjetër ishte se virtyti varet, në thelb, mbi dëshirën: supozohet se kishim plot dëshira të këqija, të cilat i kontrollonim me anë të një aftësie abstrakte të vullnetit. Ishte vërejtur qartësisht se ishte e pamundur të çrrënjoseshin dëshirat e këqija: gjithçka që mund të bënim ishte t’i kontrollonim ato. Situata ishte krejtësisht e njëjtë me atë të një polici dhe krimineli. Askush nuk mund të supozojë se është e mundur të ekzistojë një shoqëri pa të ashtuquajturit kriminelë; më e shumta që mund të bëhej, do të ishte ekzistenca e një force policore të efektshme, që shumica e njerëzve do të kishte frikë të kryente krime dhe përjashtimet e vogla do të kapeshin dhe do të ndëshkoheshin. Kriminalisti psikolog modern nuk është i kënaqur me këtë pikëpamje. Ai mendon se impulset ndaj krimit në pjesën më të madhe mund të parandalohen me anë të një edukimi të përshtatshëm. Dhe çfarë zbatohet në shoqëri, zbatohet dhe me individin.”
Ralph Waldo Emerson-i shkruan:
“Thjeshtësia lind nga një mendjelehtësi e veçantë, jo në një virtyt të veçantë, por në një fushë të gjerë virtytesh. Ato janë në shpirtin që i përmban. Shpirti kërkon pastërti, por pastërtia nuk është ajo; kërkon drejtësi, por drejtësia nuk është ajo; kërkon përfitime, por është diçka më ndryshe. Kështu që, ka një lloj rënieje dhe një ambientim, kur ne heqim dorë nga të folurit me natyrë morale për të nxitur virtytin, të cilin e urdhëron ai. Për një fëmijë normal, të gjitha virtytet janë të natyrshme dhe nuk janë fituar me mundim. Foli zemrës së tij dhe njeriu do të bëhet i virtytshëm.”
Prandaj, sipas Islamit dhe mendimtarëve realistë të botës moderne, njeriu vjen në këtë botë me një natyrë shpirtërore të pastër dhe të dobishme në përputhje me ligjet e trashëgueshmërisë. Prania e mëkatit dhe e korrupsionit tek ai është e rastësishme dhe e huaj për natyrën e tij origjinale. Është pikërisht dhunimi i kësaj natyre ose keqorientimi dhe regresioni i instinkteve, që çon jo vetëm në lindjen e sëmundjeve shpirtërore, por edhe bllokon lëvizjen e natyrshme të shpirtit me anë të komplekseve të veçanta. Përndryshe, ai ka aftësinë për të ecur përpara drejt përsosurisë me hapa të shpejtë dhe të sigurt, në përputhje me impulset e tij të vërteta.
Thjeshtësia si gjendje e shpirtit
Ralph Waldo Emerson na kujton se thjeshtësia nuk është një virtyt i veçuar, as një sjellje e mësuar me rregulla. Ajo lind nga një shpirt i pasur me shumë virtyte, nga një brendi që ka gjetur ekuilibrin e vet. Thjeshtësia nuk imponohet; ajo shfaqet natyrshëm kur njeriu është i rregulluar brenda vetes.
Shpirti i njeriut kërkon pastërti, kërkon drejtësi, kërkon të mirën. Por asnjëra prej këtyre, e marrë veçmas, nuk e përkufizon plotësisht. Ato janë vetëm shenja të një kërkimi më të thellë. Shpirti nuk ndalet te forma, por synon thelbin. Ai kërkon diçka që shkon përtej rregullave morale dhe përtej fjalëve të thata.
Kur flasim vetëm me moralizim, shpesh e humbim njeriun. Por kur i flasim zemrës së tij, virtyti zgjohet vetvetiu. Kjo është arsyeja pse te fëmija i shëndoshë shpirtërisht virtytet nuk duken si barrë apo detyrim, por si gjendje natyrore. Ai nuk mëson të jetë i mirë me mundim; ai është i tillë sepse ende nuk është ndarë nga zëri i brendshëm.
Emerson na fton ta rikthejmë këtë gjuhë të humbur të shpirtit. Të mos e ngarkojmë njeriun me urdhra morale, por ta zgjojmë përmes ndjeshmërisë, sinqeritetit dhe të vërtetës së brendshme. Sepse kur zemra dëgjohet, njeriu bëhet i virtytshëm pa e ndier peshën e virtytit.
Marrë nga Libri Zhvillimi Etik Shpirtëror – Yazdi



