Mësime IslamePsikologjiShëndetësiTregime Urtesie

Detyra më e vlefshme e njeriut

Detyra më me vlerë dhe më e rëndësishme për njeriun është edukimi. Njeriu e zbuloi vlerën e edukimit që në fillimet e ekzistencës së tij. Për të njëjtën arsye, ai vendosi parime të përcaktuara dhe objektiva në përputhje me zhvillimin e mjedisit njerëzor dhe në përpjesëtim me perceptimin e tij, për detyrat dhe misionin e tij në jetë, megjithëse këto objektiva ishin korrekte dhe ndonjëherë keqkuptoheshin.  

Ne shohim qartësisht ndryshimet mahnitëse që kanë lindur gjatë historisë njerëzore nga shkolla të ndryshme të mendimit, që kanë ndryshuar krejtësisht veçoritë e jetës. Studimi ynë i realiteteve të botës na bën që të arrijmë në përfundimin se njeriu nuk është krijuar me mëkate dhe djallëzor nga natyra. Nëse do të pranonim se njeriu është i keq, atëherë të gjitha përpjekjet për ta edukuar atë do të ishin të kota dhe të pavlera dhe përpjekjet e të gjithë profetëve të Zotit dhe të edukatorëve të botës do të ishin pa dobi. Nëse krimi, vrasja dhe shkatërrimi do të ishin të trashëguara në natyrën e njerëzve të Gadishullit Arabik, a do të ishte e mundur për Profetin e Islamit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!) të sillte një revolucion kaq gjithëpërfshirës në shpirtin e çdo individi arab dhe të ndryshonte natyrën e tyre thelbësore?

Është e vërtetë se njeriu përballet me forca fizike dhe dëshira të forta në stadet e para të jetës. Që në çastin kur ai hap sytë për të parën herë në këtë botë, aftësitë e tij realizohen gradualisht njëra pas tjetrës dhe kështu ai fillon veprimtaritë e tij. Megjithatë, në të njëjtën kohë, krahas aftësive fizike, ai zotëron një aftësi dhe një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim dhe rritje shpirtërore. Ka aftësi dhe aspirata më madhështore sesa nevojat e dukshme në qenien e tij dhe, kur përdoren energjitë e tij, mund të marrin forma të ndryshme dhe të kanalizohen në mënyra të ndryshme, megjithëse zhvillimi shpirtëror fillon përgjithësisht më vonë sesa fazat e zhvillimit fizik.

Por në ndonjë rast është një proces i natyrshëm dhe aspiratat më të larta të njeriut janë të afta të marrin përsipër dhe të shfrytëzojnë energjitë e tjera për qëllimet e tyre. Sidoqoftë, për këtë objektiv, ai ka nevojë për ndihmesë, kujdes dhe drejtim të jashtëm. Për shkak të mungesës së një ndihmese të tillë, këto aspirata mund të pësojnë shmangie dhe orientime të gabuara.

Sigurisht, ndihmesa e tillë e jashtme nuk është diçka e panatyrshme apo e imponuar, por pjesë e natyrës njerëzore. Është njësoj sikur të mësosh një fëmijë të flasë, megjithëse ai ka aftësinë e natyrshme për të folur që në ditën e parë të lindjes së tij. Parimi i zhvillimit njerëzor dhe fatit të njeriut, si krijesa më fisnike, përshkruhet në Kur’anin e Shenjtë me këto fjalë:

“Atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (84:6)

“Dhe se te Zoti yt do të jetë kthimi.” (53:42)

Gjatë fluturimit të tij në horizontet drejt pafundësisë, njeriu duhet të marrë frymëzime nga mësimet e profetëve të Zotit, që përbëjnë një program edukimi të vërtetë gjithëpërfshirës. Kjo është e nevojshme për të çliruar energjitë e fshehura hyjnore në qenien e tij, të cilat i nevojiten që të jetë i aftë për të arritur në fundin e zhvillimit të tij, drejt suksesit dhe shpëtimit.

Gustav Lebon-i shkruan:

“Vetëm pas përpjekjeve të papërkulshme, filozofia kuptoi se nuk mund të shkonte drejt të mbinatyrshmes. Sidoqoftë, ne jemi të detyruar të ndjekim recetat e mjekëve të shpirtit, që kanë depërtuar në veçantitë e shpirtit të njeriut dhe mund t’u besohet përkujdesja e zhvillimit të tij shpirtëror. Këta shërues shpirtërorë janë profetët dhe parashikues të dërguar nga Zoti, që propozuan porosi për mirëqenien e njeriut, nga burimet e Zbulesës dhe të frymëzimit dhe synuan të arrinin një disiplinë të brendshme, me mjetet e së cilës ata mundën ta ndihmonin të arrijë përsosurinë që ai dëshiron.”

Kur’ani i Shenjtë u referohet dy aspekteve të natyrës së njeriut, teksa bën përshkrimin e natyrës njerëzore. Ai vë në dukje se nëse njeriu dështon në trajnimin bazë, dëshirat e furishme brenda tij do të fillojnë të përparojnë, duke dobësuar forcën e arsyes dhe të ndërgjegjes dhe do t’u nënshtrohen impulseve të tjera brenda shpirtit të tij, duke i vënë në punë për qëllimet e tyre. Çudia tjetër e njeriut është se ai ka natyrë të dyfishtë. Prandaj, nuk duhet të injorohen aftësitë e tij dhe nevoja për ta udhëhequr në një drejtim të përcaktuar.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Qeniet e mbrujtura me forcën e arsyes kërkojnë edukim, ashtu si dhe të mbjellat kanë nevojë për shi.”

Në qoftë se parimet e edukimit nuk janë të bazuara në faktorë rregullatorë dhe nëse energjitë njerëzore do të lihen të padrejtuara dhe të pakanalizuara në një gjendje të lirisë së papërmbajtur, ato do të mbeten gjithnjë subjekt i nevojave njerëzore parësore. Ja, përse karakteri njerëzor dhe sjellja ka gjithmonë nevojë për trajnim edukues dhe formues, nëpërmjet lavdërimeve dhe shpërblimeve, si dhe qortimit dhe ndëshkimit. Kur’ani deklaron:

Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (91:9-10)

Koncepti për ndëshkimin është bazuar në fuqinë e lindur të njeriut për të dalluar të mirën nga e keqja dhe heqja dorë nga përgjegjësia kërkon praninë e mangësive fizike e mendore te njeriu. Pikëpamja që përkrahet nga disa lëvizje moderne të mendimit, që justifikojnë kriminelët si viktima të shoqërive mëkatare, si dekadentë apo të shtrembëruar gjatë trajnimit dhe e konsiderojnë individin – pavarësisht nga prania te njeriu e fuqisë së lindur për të bërë dallimin – si një qenie negative të pafuqishme, nuk mund të konsiderohet si një e vërtetë shkencore. Sigurisht që askush nuk mund të mohojë rolin e madh të edukimit dhe të trajnimit apo të injorojë përgjegjësinë shumë të rëndësishme që lind nga shoqëria dhe mjedisi; pasi faktorë të shumtë në lidhje me kryerjen e krimit e ndajnë përgjegjësinë për të. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se fajtori është i çliruar nga përgjegjësia për aktin e tij.

Nuk ka dyshim se një grup keqbërësish mund të reformohen me pak drejtim. Ata janë viktima të sëmundjeve të tyre shpirtërore dhe krimi i tyre është produkt i çrregullimeve psikike të veçanta dhe i shqetësimeve që nuk janë të rrënjosura thellë. Ose kjo vjen si rezultat i shoqërimit me persona të paqëndrueshëm dhe imoralë. Këta tipa njerëzish duhet të identifikohen dhe të trajtohen sa më parë të jetë e mundur.

Mbi të gjitha, ashpërsia e reagimit dhe intensiteti i fushatave kundër krimit nuk mund të çrrënjosin sjelljet kriminale. Ndëshkimi që u jepet kriminelëve për hir të mbrojtjes së mirëqenies sociale dhe individuale është i nevojshëm, pasi sanksionet ndaj tij janë një produkt dhe rezultat i natyrshëm i sjelljes së tij dhe është i rëndësishëm për të mbajtur drejtësinë dhe ekuilibrin në shoqëri, si dhe për sigurinë e jetës shoqërore. Megjithatë, vetëm ndëshkimi nuk mjafton dhe më i rëndësishëm është riedukimi i kriminelëve, kështu që qasja e tyre e pashëndetshme në jetë mund të ndryshohet me anë të udhëzimeve të frytshme, në mënyrë që shpirti i tyre agresiv dhe joligjor të mos ndikojë tek individët e tjerë në shoqëri.

Marrë nga Libri Etika e Zhvillimit, – Jazdi

Të ngjashme

Back to top button