4.1

Ndryshimet midis burrit dhe gruas

Spread the love

Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. (Surja er-Rum, ajeti 21)

Hyrje

Nga pikëpamja e pozicionit dhe nivelit shpirtëror midis burrit dhe gruas nuk ka asnjë ndryshim. A është burri i barabartë me gruan nga pikëpamja fizike dhe psikologjike? Rezultatet e nxjerra, mbi bazën e kërkimeve psikologjike dhe studimeve shkencore, tregojnë qartë se ekzistojnë ndryshime trupore dhe psikologjike midis tyre, pasi janë të gjinive të ndryshme. Ky mosbarazim trupor dhe psikologjik nuk nënkupton se njëri është më perfekt se tjetri, por plotësojnë njëri-tjetrin, në mënyrë që të mund të jetojnë bashkë. Ligji i krijimit donte që, me këto ndryshime, të perfeksiononte jetën e tyre të përbashkët.

Përveç ndryshimeve trupore që ekzistojnë midis burrit dhe gruas, psikologët theksojnë se ekzistojnë edhe ndryshime thelbësore në mënyrën e të menduarit dhe të këndvështrimit që kanë për botën. E thënë ndryshe, secili, nga të dy palët, është një botë më vete. Pikërisht, për këtë arsye ndodh shpesh që burri dhe gruaja të mos jenë në një mendje ose të mos veprojnë njëlloj në raste të njëjta. Pra, botëkuptimi i tyre në përgjithësi është i ndryshëm. Në pjesët e mëposhtme do të analizojmë disa prej ndryshimeve midis burrit dhe gruas.

Kryevepra e krijimit

Në të vërtetë, ndryshimet midis burrit dhe gruas janë kryeveprat më të çuditshme të krijimit. Këto ndryshime flasin hapur për një sistem të saktë dhe të mirëllogaritur krijimi. Pra, me fjalë të tjera, ndryshimet midis burrit dhe gruas janë shenja të një krijimi të qëllimtë dhe aspak të rastësishëm. Sistemi i krijimit, për të arritur qëllimin e tij që çdo krijesë të mbijetojë, ka vendosur sistemin e riprodhimit të brezave, ku për këtë qëllim ka krijuar dy gjinitë, femër dhe mashkull, ku bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis tyre mund të sjellë një qëllim të tillë. Në rastin e njerëzve, unifikimi dhe bashkimi i tyre është planifikuar në mënyrë të tillë që të ekzistojë: nevoja, shërbimi, sakrifica, dashuria etj., për njëri-tjetrin. Mbi bazën e këtij projekti janë planifikuar me saktësi edhe ndryshimet fizike dhe psikologjike midis femrës dhe mashkullit. Pra, me fjalë të tjera, janë pikërisht këto ndryshime që i tërheqin ata drejt njëri-tjetrit. Në qoftë se femra do të kishte po ato cilësi trupore dhe psikologjike si të mashkullit, bashkimi dhe tërheqja midis tyre do të ishte e pamundur dhe anasjelltas.

Lidhja është më e lartë se pasioni

Ligji i krijimit gruan dhe burrin i ka ndërtuar mbi bazën e dëshirës dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Kjo dashuri dhe dëshirë nuk është si llojet e tjera të dëshirave për sende dhe gjëra të ndryshme. Ekziston një ndryshim thelbësor midis kësaj dashurie dhe dashurive të tjera. Njeriu e do një send për qetësinë dhe rehatinë e tij, duke plotësuar kërkesat e tij personale, ndërsa dëshira për bashkëshort/e është me kuptimin që të dy palët kanë nevojë për njëri-tjetrin dhe jo me kuptim të njëanshëm. Pra, dëshira ka kah të dyfishtë, gjë që nuk ndodh me sendet dhe mjetet e tjera materiale që njeriu dëshiron t’i ketë. Në këtë kontekst marrin kuptim edhe sakrifica për njëri-tjetrin, si një kënaqësi dhe jo si një mundim si dhe veprime të tjera të ngjashme me këtë që njeriu nuk do t’i bënte për sendet dhe krijesa të tjera në përgjithësi. Disa janë të mendimit se vetëm pasioni për gjininë e kundërt është shkak i lidhjes midis femrës dhe mashkullit, kur në të njëjtën kohë vetë lidhja është shumë më tepër sesa pasioni për gjininë e kundërt. Është pikërisht kjo lidhje që kurorëzohet me bashkimin e çiftit.

Kurani i Madhëruar shprehet: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. (Surja er-Rum, ajeti 21)

Autor: Dr. Murteza Mutahhari

(Revistë “Vlera”, nr. 12, tetor 2014, fq. 32-33)