Stuhitë gjithmonë kalojnë dhe shfaqet Dielli
Hyrje
Ajo që sot duket stuhi në jetën tënde, nesër do të shohësh se ndoshta ishte era duke hapur një rrugë të re në jetën tënde. Nuk duhet të harrojmë se çdo gjë që vjen në jetën tonë na bën më të fortë. Andaj, duhet të kemi besim, shpresë dhe kurajo. Të gjithë ne përballemi me ndonjë vështirësi, por pastaj dalim të liruar me ndihmën e Zotit. Nga e mira dhe e keqja mësojmë, edhe gjërat e këqija janë gjithashtu të mira për rritjen, pjekjen tonë dhe na forcojnë. Asgjë nuk është rastësi, çdo gjë që ndodh për diçka, edhe ajo që nuk ndodh, nuk ndodh pa ndonjë arsye. Çfarëdo që sot është trishtim, nesër do të jetë buzëqeshje, çdo gjë e ka kohën e vet.
Një mentalitet pozitiv të ndihmon të triumfosh. Mendo mirë, për të jetuar më mirë. Mos harro: Zoti u jep betejat më të vështira luftëtarëve të tij më të mirë. Dhe në fund çdo gjë bie në vend të vet, sot je i lodhur por më vonë gjithë kjo e keqe konvertohet në të mirë. Çdo gjë që një ditë ishte stuhi, ka përfunduar, dhe ka filluar të jetë agimi më i mirë.
“Vërtet ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ata janë xhennetet e begatshme, që në to janë përgjithmonë. Premtimi i Allahut është i prerë, e Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti” (Surja Lukman, ajeti 8-9)
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 20, tetor/nëntor 2016, fq. 23)