7fc8b762f6f954000a04fb25ed5447e8

Ngritja dhe presioni shpirtëror

Spread the love

Ngritja dhe presioni shpirtëror

 

Ngritja shpirtërore  dhe presioni i rëndesës mbi të,  që mos të tërheq shpirtin poshtë, drejt dekadencës dhe rënies është vendosja e një lidhjeje të fortë e të qëndrueshme mes Zotit dhe njeriut, pasi sa më e madhe të jetë shkalla e ndarjes së njeriut nga Zoti, aq më e fortë do jetë prirja drejt shtrembërimit në qenien e tij.

 

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Në qoftë se dy ditë të jetës së dikujt janë të njëjta për sa i përket zhvillimit të cilësive më të larta njerëzore, ai është një humbës në marrëveshjen e jetës së tij. Njeriu, e sotmja e të cilit kalohet më mirë sesa e djeshmja e tij, është dikush që ia vlen për t’u pasur zili prej të tjerëve. Por ai që i kalon ditët në një gjendje regresioni ( ngecje në zhvillim shpirtëror)   të vazhdueshëm, është i privuar nga mëshira dhe pëlqimi i Zotit. Dhe dikush që nuk gjen progres në vetvete, në lidhje me natyrën shpirtërore, virtyteve morale dhe meritave, i prirë drejt humbjes dhe regresit, vdekja është më e mirë se jeta për një person që ndjek rrugën e regresit.”

 

Paul Clèment Jagot shkruan:

“Në mënyrë që të shmangë shpërndarjen mendore dhe përçarjen e personalitetit, që me lehtësi nxjerr në pah idenë e vetëkontrollit, një njeri duhet të ndajë në mënyrë të përpiktë kohën e tij. Nga ana tjetër, rregullimi dhe drejtimi i jetës sipas një programi të paramenduar dobëson nënshtrimin e përshtypjeve dhe e përgatit mendjen e pavetëdijshme për një të menduar të ekuilibruar.

Lufta kundër dëshirave të forta të brendshme dhe nxitjeve shkatërruese të njeriut dhe unit seksual epshor, pa dyshim është një detyrë e vështirë. Në shkollën e mendimit të Islamit, fitorja mbi prirje të tilla të brendshme është konsideruar si shenja më e spikatur e superioritetit të individit dhe e aftësive të tij. Është çështje e një krenarie të madhe për njeriun të jetë i aftë të fillojë programin e vetëzhvillimit të tij, duke vënë nën kontroll nxitjet, pasionet dhe dëshirat e tij të brendshme, në mënyrë që të ngrejë personalitetin e tij në nivelet më të larta të madhështisë.

 

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Përpara se vdekja t’ju afrohet dhe të shkaktojë ndarjen e trupit nga shpirti, përmbajeni veten dhe mposhtni shpirtin nga dëshira të tilla, pasi janë të dëmshme. Luftoni të çlironi shpirtin tuaj në të njëjtën mënyrë siç punoni për jetesën tuaj, pasi, padyshim shpirti juaj është tërësisht i varur për mirëqenien e vet në karakterin dhe sjelljen tuaj.”

 

Dr. Alexis Carrel thotë:

“Zhvillimi mendor spontan është gjithmonë i papërshtatshëm. Njeriu nuk arrin zhvillim mendor të plotë pa ndërhyrjen e vullnetit. Të gjithë e dinë se zhvillimi i muskujve dhe i pjesëve të trupit varet nga përpjekjet e vetëdijshme dhe një njeri nuk mund të bëhet kampion pa u ushtruar rregullisht.

Në të njëjtën mënyrë, një njeri duhet të bëjë përpjekje për të zhvilluar aftësitë e tij mendore. Në qoftë se një nxënës nuk ka vullnet të mësojë, edhe mësuesi më i aftë nuk mund t’i mësojë atij diçka. Studimi i një sërë parimesh morale nuk e bën njeriun të ndershëm dhe të drejtë, as shpirti ynë nuk dorëzohet ndaj shtrëngesës apo detyrimit.

Ashtu si karakteri, edhe formimi i personalitetit, siç thotë Bergson-i, varet nga përpjekjet e njeriut. Për të arritur këtë, një njeri duhet të mbështetet në të gjitha kapacitetet e tij fizike dhe shpirtërore dhe të rregullojë apo të drejtojë jetën e tij të brendshme në një mënyrë ideale, duke ndërtuar një frymë të fuqishme brenda vetes së tij.

Kjo mrekulli ndodh çdo ditë gjatë gjithë historisë dhe zakonisht nga familjet e thjeshta dalin njerëz të mëdhenj, por kushdo, i ditur apo analfabet, i pasur apo i varfër, i ri apo i vjetër, mundet, në qoftë se dëshiron, të mbështetet mbi energjitë shpirtërore, që gjenden thellë në brendësi të qenies së tij.”[1]

 

Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Lloji më i keq i varfërisë dhe i paaftësisë është mungesa dhe pamjaftueshmëria e shpirtit dhe e personalitetit (të njeriut).

Kjo ndodh, sepse mungesat shpirtërore e çojnë njeriun më shpesh drejt fatkeqësive, varfërisë dhe mjerimit, sesa mungesat materiale. Kur shpirti sëmuret dhe mbulohet nga errësira, një mënyrë e gabuar e të menduarit dhe një gjendje jo e shëndoshë e ndjenjave dhe emocioneve e shpie njeriun në mënyra sjelljeje të gabuara. Kur ndodh kjo gjë, ai e humbet sensin e realitetit dhe vizionin e tij të brendshëm shpirtëror, si dhe shpërdoron fuqitë e tij të brendshme krijuese dhe mjetet materiale të disponueshme.

Zhvillimi i personalitetit u nënshtrohet dhe kushtëzohet nga kriteret e vlerave në jetë. Zhvillimi i cilësive personale dhe i aftësive apo i meritave gjithashtu, bazohet mbi vlerat. Nëse njeriu do të ndjekë dëlirësinë dhe shkëlqimin moral, në mënyrë të palëkundur dhe të vendosur, mendja e tij do jetë e përgatitur të pranojë cilësitë e pastërtisë shpirtërore, ndërsa, nëse jepet pas ndyrësisë dhe prishjes morale, ai do të përparojë drejt humnerës së shkatërrimit. Është e pabesueshme që dikush në ndjekje të vesit, të dalë i pastër dhe i dëlirë në fund.

Në qoftë se njeriu nuk kufizon lirinë e tij brenda disa kufijve të arsyeshëm dhe të përmbajë arenën e pasioneve, nxitjeve dhe dëshirave të forta, të kufizuar brenda caqeve të përcaktuara, ai do të dorëzohet te skllavërimi i tyre dhe ato do ta marrin me vete në çdo drejtim që duan. Duket qartazi se kjo nënkupton poshtërim të vetes dhe degjenerim të dinjitetit njerëzor. Kjo fyerje dhe ky poshtërim e mbajnë atë të fshehur nga arritja e përsosurisë së denjë për të, dhe shpirti e mendimi i tij nuk do të jenë kurrë në gjendje të ngrihen drejt horizonteve më të gjera dhe më të hapura. Më pas, ai do të humbasë edhe prirjen për t’u ngritur mbi rrafshin e çështjeve trupore materiale, megjithëse mund të ketë forcën e mjaftueshme për ta bërë një ngritje të tillë.

Rruga e vetme për të sjellë një ekuilibër mes ngritjes së shpirtit dhe presionit të rëndesës mbi të, që tërheq shpirtin poshtë, drejt dekadencës dhe rënies është vendosja e një lidhjeje të fortë e të qëndrueshme mes Zotit dhe njeriut, pasi sa më e madhe të jetë shkalla e ndarjes së njeriut nga Zoti, aq më e fortë do jetë prirja drejt shtrembërimit në qenien e tij.

Islami mbjell farën e besimtarit ndaj Zotit dhe të devocionit ndaj tij në zemrën dhe shpirtin e secilit. Në të njëjtën kohë, ai nuk lejon brenda mbretërisë së tij ndonjë ndarje midis besimit dhe sjelljes, kështu që ai do të mbajë gjithmonë Zotin para syve, në mendjen e tij, në perceptimin dhe në mënyrën e sjelljes, një Zot që është i informuar për të gjitha sekretet dhe të fshehtat e shpirtit të tij. Gjithashtu, ai nxit dashurinë e Zotit brenda qenies së tij dhe dëshirën për të kërkuar kënaqësinë e tij të mirë.

Për sa kohë që nuk kanë një bazë të qëndrueshme dhe të fortë, virtytet njerëzore nuk mund të kenë rrënjë të forta. Besimi është bashkëshoqëruesi i natyrshëm i virtytit, të cilit i jep jetë, qëndrueshmëri dhe sinqeritet. Në këtë mënyrë, çdokush duhet ta kuptojë që dëlirësia dhe morali i lartë janë gjëra që duhet të vendosen në brendësi të vetes, jo disa ideale abstrakte të lidhura me vlerat njerëzore dhe personalitetin pozitiv që ekziston vetëm në imagjinatë, ndërsa sjellja e tij vazhdon në ndonjë drejtim tjetër, pa realizuar ndonjë përfitim shpirtëror në jetën aktuale.

Për të mbajtur valët e dëshirave nën kontroll, Islami gjithmonë kujdeset për forcën e vetëpërmbajtjes. Kjo vetëpërmbajtje e vetëdijshme, e rregullt dhe funksionale përfshin llogaritjen e vetë shpirtit mbi bazën e parimeve të njohura të bazuara mbi mençurinë dhe llogaritjet. Me anë të këtij mjeti, vetëpërmbajtja sjell një gjendje harmonie mes nxitjeve të ndryshme të individëve, një personalitet të pavarur të anëtarit të shoqërisë dhe imponon kufizime për të stabilizuar pozicionin e individit përballë shoqërisë dhe, të anasjellën, të shoqërisë përkundrejt individit. Ndërsa njeriu vetë i ka dhënë gjithmonë përparësi njërës prej tyre në krahasim me tjetrën, duke sakrifikuar individin për qëllime sociale apo duke neglizhuar shoqërinë për hir të përfitimit personal.

Kur një harmoni e tillë të ekzistojë te qeniet njerëzore, si individi, ashtu dhe shoqëria vendosen siç duhet dhe të gjithë njerëzit bëhen më harmonikë dhe të qetë në mendimet dhe sjelljen e tyre, të gjithë do t’i kryejnë detyrat e veta në përputhje me natyrën e tij të dhënë nga Zoti.

Por kur vizioni pengohet dhe të menduarit qëndron në gjendje të amullt, njeriu mbahet larg perceptimit të realiteteve. Më pas, ai nuk mund të kuptojë më mangësitë e personalitetit të tij, si dhe papërshtatshmërinë e tij në atë masë, saqë nëse ai do ta merrte vesh këtë gjë, do të habitej jashtë mase, madje do të tërhiqej me përbuzje dhe neveritje.

 

Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“Nëse dikush do të kuptonte defektet dhe mangësitë e personalitetit të tij, ai do t’i konsideronte ato me përçmim dhe neveri.”

 

Shopenhaueri thotë:

“Në të njëjtën mënyrë si njeriu nuk e ndien peshën e tij, ai gjithashtu nuk vëren zakonet e tij të shëmtuara, veprimet e paturpshme dhe të pahijshme dhe sjelljet e padenja. Nga ana tjetër, ai është gjithnjë i vëmendshëm ndaj defekteve dhe të metave që kanë të tjerët. Të tjerët, ashtu si pasqyra, pasqyrojnë defektet dhe cenet tona, por ne nuk i vëmë re dhe përfytyrojmë se imazhi që ne vrojtojmë në pasqyrë, i përket dikujt tjetër.”[2]

Prandaj, njeriu duhet të zgjojë shpirtin e tij nga gjumi, në mënyrë që të hapë sytë të shohë dhe të kuptojë faktet. Ky zgjim ka ndikimin më të mahnitshëm mbi qenien e njeriut dhe, në këtë gjendje, ai ndien sikur ka gjetur një jetë të re dhe qenia e tij ka pësuar një rilindje. Kjo ndodh sepse hapja e syve të shpirtit ndikon në tërë jetën e njeriut, me gjithë hapësirën dhe forcën e vet dhe e vendos personalitetin dekadent prapa në ecurinë e zhvillimit të tij.

Aliu (Paqja qoftë mbi të!) përshkruan rolin e rëndësishëm të mendimit dhe të parashikimit me këto fjalë:

“Mësoje veten tënde me mendimin dhe soditjen, sepse kjo do t’ju largojë nga drejtimi i keq dhe do t’ju reformojë karakterin dhe mënyrën e sjelljes.

“Soditja e veprimeve të mira e bën njeriun që të kryejë dhe ai vepra të mira.”

“Kredhja e njerëzve në mendime në lidhje me diçka është stadi parapërgatitor për lindjen dhe ardhjen në ekzistencë të kësaj gjëje.”

 

Marrë nga libri : Etika e zhvillimit shpirtëror – SEJJID Muxhteba Musavi Lari