“Shkova për ta mësuar punën time, jo për t’u nënçmuar për shkak të fesë”
Avokatja praktikante Esma Belfakir, e cila është larguar nga sala e gjykatës nga ana e gjykatësit Giancarlo Mozzarelli në Bolonjë të Italisë për shkak të mbajtjes së mbulesës, thotë se kishte shkuar atje për ta mësuar punën, e jo për t’u nënçmuar për shkak të fesë së saj.
Belfakir, avokatja praktikante e lindur në Marok, e cila u nxor jashtë nga gjykatësi për shkak të mbulesës gjatë një seance në Gjykatën Rajonale Administrative në Bolonjë, për Anadolu Agency (AA) rrëfen se kishte hyrë në gjykatë me avokatë të tjerë të përfshirë në rast.
“Gjykatësi filloi duke thënë: ‘Do ta hiqni këtë?’. Nuk e përdori as fjalën mbulesë. Madje nuk më shikoi as në fytyrën. Mendova se kërkon nga dikush të heqë pallton. As që mund të imagjinoja se mund të më thoshte një gjë të tillë mua”, tregon Belfakir.
Ajo thotë se e ka kuptuar situatën pasi ka shikuar gjykatësin dhe se është nervozuar, duke e përfunduar fjalinë e gjykatësit me pyetjen “Mbulesën?”.
“Po, nëse do të qëndrosh në sallë, je e obliguar ta heqësh atë”, i është drejtuar gjykatësi, ndërsa Belfakir ka refuzuar ta heqë atë dhe ka pranuar të dalë jashtë.
“Teksa dilja nga dera, e dëgjova gjykatësin teksa u thotë të pranishmive se ‘kjo gjë ka të bëjë me kulturën dhe traditat tona’. Ishte shumë keq të dëgjosh një gjykatës të bëjë një gjë të tillë në emër të ‘kulturës dhe traditës’. Unë atje shkova për ta mësuar punën, për të parë se si duhet zbatuar drejtësinë, e jo për t’u nënçmuar për shkak të fesë”, vazhdoi më Belfakir.
Disa nga mbështetësit e Belfakirit në rrjetet sociale kanë argumentuar se “në një gjendje të këtillë, në sallë nuk duhet pranuar as murgeshat”. Lidhur me këtë, Belfakir tha se ka dëgjuar shumë gjëra në lidhje me metodologjinë e punës së gjykatësit dhe idetë e tij personale.
“Jam e sigurit se ai nuk do të kërkonte asnjëherë nga një murgeshë të hiqte mbulesën, sepse murgeshat nuk nënçmojnë kulturën e tij duke vendosur mbulesë”, tha ajo.
Ajo thotë se ndonjëherë dëshiron që të vazhdojë rrugën e të mos i marrë afër zemrës, megjithatë, ajo mendon se është bërë një padrejtësi dhe mendon se është e nevojshme që kundër kësaj të luftohet me “dituri”, për të cilën thotë se është arma më e fortë.
– “Ne, gratë muslimane, nuk jemi vetëm”
E pyetur se si i ka pritur mesazhet mbështetëse nga njerëz nga Italia, Turqia dhe vende të ndryshme të botës, Belfakir theksoi se ndihet shumë e zemëruar për këtë incident, duke shtuar se ka pranuar mesazhe nga të gjitha vendet e botës, aq sa nuk e kishte imagjinuar.
Edhe pse kanë kaluar ditë nga ngjarja, Belfakir thotë se vazhdon të pranojë mesazhe, posta elektronike dhe telefonata.
“Personat që më mbështetën, e shndërruan një ditë të tmerrshme në një vetëdijësim shumë të mirë. Unë nuk jam vetëm. Ne, gratë muslimane, nuk jemi vetëm. Institucione, shoqata, shoqata profesionale, politikanë, akademikë, komuniteti islam i Italisë dhe lëvizje laike e shumë persona qëndruan në anën time”, tha Belfakir.