b8ce4ec0c1af57ae5a6c52f947d6f76d

Vetëstimulim i organit seksual

Spread the love

Prof. Dr. Muhamed Rizwi

Masturbimi (vetëstimulim i organit seksual)

Në terminologji në islame, masturbim (istimna) do të thotë vetë-stimulim i organit seksual deri në pikën kur personi të arrijë ejakulacionin e spermës ose të përjetojë orgazëm. Masturbimi, si një formë e vetë-stimulimit është i ndaluar në jurisprudencën e Mezhebit Xhaferi . Kur’ani thotë:

Besimtarë janë : … ata të cilët i ruajnë nderin ( pjesët e tyre të turpshme përveç nga bashkëshortet e tyre…Kushdo që kërkon më shumë se kjo, i kalon kufijtë…(Kur’an 23:5-6)

Fjalia e fundit e bën të qartë se çdo kërkim kënaqësie seksuale jashtë martesës, konsiderohet një kalim i kufijve të vendosur nga Zoti. Ky varg gjithashtu nënkupton se marrëdhënia seksuale është një veprim në të cilin duhet të përfshihen dy vetë. Kur një njeri e pyeti Imam Xhaferin në lidhje me masturbimin, Imami e recitoi pikërisht këtë varg dhe e përmendi masturbimin si njërin nga veprimet që e tejkalon kufirin e vendosur nga Zoti (Vesail, vëll.18, fq.575) Në një rast tjetër, Imami u pyet në lidhje me masturbimin dhe tha: “Është një veprim i shëmtuar.” (Vesail, vëll.14, fq.267; vëll.18, fq.574-5)

Masturbimi është një mëkat, për të cilin njeriu mund edhe të dënohet në një gjykatë islame. Kuptohet, natyra e dënimit i mbetet gjykatësit në fjalë. Një njeri që ishte zënë duke masturbuar u soll tek Imam Aliu. Imami e dënoi atë duke ia rrahur dorën derisa iu skuq dhe pastaj i siguroi martesë me mjetet financiare të shtetit. (Vesail, vëll.14, fq.267; vëll.18, fq.574-574)

Kohëve të fundit, shumë shkencëtarë thonë se masturbimi nuk është i dëmshëm dhe se është një veprim natyral. Për ta vërtetuar se sa i natyrshëm është ky veprim, ata e japin shembullin e disa kafshëve të egra si majmunët, të cilat e kryejnë këtë veprim. Të tillët e përfaqësojnë vetëm grupin që ka shkuar në një ekstrem të kundërt në lidhje me moralin seksual. Ata e kanë sjellë njeriun në nivelin e kafshëve të egra dhe më pas i kanë arsyetuar veprimet e tyre duke marrë shembuj nga bota e kafshëve. Ata, siç thotë Kur’an, janë “…si bagëtia dhe madje më të humbur, janë të pakujdesshëm…” (Kur’an 7:179)

Është ironike se kurdoherë që muslimanët flasin për ndjekjen e Islamit që ka ardhur para 1400 vjetësh, ‘seksistët’ gjithnjë i etiketojnë me emërtime nga më të ndryshmet. I quajnë reaksionarë, i quajnë “ata që duan ta kthejnë mbrapa kohën”, ata që janë kundër përparimit etj. Por më pas, këta të njëjtit shkojnë miliona vite prapa (sipas numërimit të vetë atyre) dhe kërkojnë t’i ndjekin kafshët ose shoqëritë primitive për të vendosur se çfarë është natyrore dhe çfarë jo.

Shumë lloje të sjelljeve seksuale mund të gjenden në shoqëritë primitive njerëzore, por kjo nuk i bën ato natyrore dhe të drejta. Përkundrazi, në disa raste, masturbimi është konsideruar një veprim jonormal dhe i turpshëm edhe nga shumë shoqëri primitive. Për shembull, në lidhje indianët e Amazonës, Lewis Cutlow shkruan:

Xinguanos shqetësohen jashtë mase nga njerëzit e botës së civilizuar, të cilat jetojnë me frustracione seksuale. Ata nuk e kuptojnë dot se si mund një njeri të ndjehet i eksituar seksualisht vetëm duke e parë një grua të zhveshur. Në njëzet e pesë vitet e tija me indianët, Orlando rrëfen se kurrë nuk pa një indian me ereksion. Kjo gjë ishte absurde për ta. Ata nuk dinin ç’është masturbimi derisa nuk e panë një operator telegrafi nga bota e civilizuar, duke e bërë këtë gjë. Që nga ajo kohë, operatori i telegrafit ishte një problem për Orlandon dhe për kolegët e tij brenda Parkut. Që nga ajo kohë, ky njeri e kishte humbur vlerën në sytë e tyre sepse kishte bërë një veprim të qortueshëm. S’mbetej zgjidhje tjetër veçse të largohej nga Parku. (“The twilight of the primitive”, fq.16-17, nga vepra “Sex and Destiny”, fq.88)

 

Ndonjëherë, shkencëtarët e arsyetojnë masturbimin duke thënë se shumë njerëz e bëjnë atë. Por vetë fakti se shumica bën një gjë, nuk do të thotë me automatizëm se ajo është një gjë e drejtë. Po të logjikojmë kështu, atëherë do të duhet të pranonim se përdorimi i drogës është një gjë “normale” sepse në fund të fundit, shumica e amerikanëve, në një kohë të caktuar në jetën e tyre, e përdorin drogën. Hulumtimet e bëra nga seksologët si Kinsey, Masters e Johnson dhe veprat e Shere Hite vetëm sa e zbulojnë atë që amerikanët bëjnë në privatësinë e dhomave të tyre të fjetjes. Por kjo s’do të thotë se ajo që bëhet është natyrore dhe e drejtë.

Shumë psikologë modernë thonë se masturbimi është po aq normal sa marrëdhënia seksuale dhe madje është më e mirë se ajo sepse njeriu është i zoti i vetes dhe nuk ka nevojë të mendojë për ndjenjat e partnerit. Ky është një shembull i nivelit të ulët që ka arritur kjo shoqëri materialiste, e fundosur në qëndrimet vetjake, aq sa edhe gjatë marrëdhënies seksuale, kërkohet kënaqësia duke e përjashtuar bashkëshortin/bashkëshorten nga kjo gjë. “Me sa duket, ata harrojnë se gjatë marrëdhënies seksuale, të gjitha shqisat kanë një kontribut në orgazëm. Burri dhe gruaja e shohin dhe prekin njëri tjetrin, thonë fjalë tërheqëse, i dëgjojnë zërat stimulues të njëri-tjetrit dhe madje edhe shqisa e nuhatjes dhe e shijimit stimulohen. Dhe më në fund, hyrja e organit mashkullor në organin seksual femëror e sjell eksitimin përfundimtar dhe orgazmin. Por gjatë masturbimit, burimi i vetëm i stimulimit është imagjinata, në të cilën nuk merr pjesë asnjëra nga shqisat. E gjithë ngarkesa është mbi mendjen dhe si pasojë, ndërkohë që marrëdhënia normale seksuale krijon lumturi dhe hare tek njeriu, masturbimi krijon vetëm depresion emocional dhe psikologjik.” (“Përgjigje pyetjeve tuaja” nga Rizvi, vëll.3, fq.40-41)

Ky nuk është thjesht mendimi i një juristi musliman. Edhe “Raporti Hite mbi seksualitetin mashkullor” (Hite Report on Male Sexuality) thotë: “Po kështu, shumë meshkuj thonë se ndjejnë kënaqësi fizike gjatë masturbimit por se në aspektin emocional, ai është një veprim depresiv.” (The Hite Report on Male Sexuality, fq.489) Në një përgjigje, një mashkull shkruan: “Ky veprim është fizikisht kënaqësi por mund të të lërë emocionalisht të vetmuar dhe të zbrazur për gjënë e vërtetë. Mund ta bësh kur të duash, të zbrazesh kur dëshiron, t’i krijosh imazhet e tua por nuk ka kurrfarë ngrohtësie dhe afërsie dhe nuk ke askënd për ta ndarë kënaqësinë. Nuk ke shoqëri…(The Hite Report on Male Sexuality, fq.489) Pasi thotë se ndikimet fizike të masturbimit janë shumë të vogla, Leslie D. Weatherhead, në veprën “Fuqia e seksit” (The Mastery of sex), shkruan: “Psikologjikisht, rezultatet janë shumë më serioze. Masturbimi tek të rriturit është thuajse përherë si pasojë e ndonjë çrregullimi …(The mastery of sex, fq.103)

 

Shërimi i masturbimit:

Është lehtë të qëndrohet larg marrëdhënies seksuale të palejuar sepse kjo gjë kërkon edhe një person tjetër. Por rreziku i përfitimit të shprehisë së masturbimit është gjithnjë i pranishëm, andaj njeriu duhet të dijë si ta përballojë këtë shprehi të dëmshme seksuale. Në vijim do të japim disa udhëzime që do të mund ta shpëtonin personin nga shprehia e masturbimit. Këto udhëzime janë marrë nga vepra “Mastery of Sex” e Weatherhead-it dhe nga vepra “Përgjigje pyetjeve tuaja” të Allame Rizviut:

– fuqizimi i vullnetit: kjo gjë mund të bëhet vetëm nëse personi sinqerisht dhe me ngulm dëshiron të shpëtojë nga ky ves. Njeriu duhet t’i lutet Zotit për ta tejkaluar atë, të përqëndrohet në mësimet fetare dhe ta zhvillojë brenda vetes virtytshmërinë shpirtërore (takva).

– Personi duhet të qëndrojë sa më shumë në prani të të tjerëve. Nëse gjatë ditës i vjen ndjenja e masturbimit, ai duhet të ngrihet dhe të shkojë në prani të të tjerëve. Nëse kjo ndjesi vjen gjatë ditës, atëherë duhet të përpiqet të durojë, të lexojë ndonjë libër ose të shkruajë diçka. Mund edhe të bëjë ndonjë gjë tjetër dosido, e cila do të mund t’ia tërhiqte vëmendjen drejt diçkaje tjetër.

– Personi mund të fillojë të merret me ndonjë hobi ose ndonjë sport, nëpërmjet të cilit do të mund t’i zbrazte energjitë trupore.